Kështu siç sillet policia, çdo shtëpi tonën mund ta shpall “çerdhe terroriste islamike”, e të sjell aty dëshmitë që i mungojnë për të na shpallur të tillë, thotë Mehmeti
Shkup, 4 maj – Në një intervistë për “Lajm” publicisti Kim Mehmeti flet për operacionin “Monstrum” që ndërmori policia para pak ditëve. “Sipas veprimeve të policisë del se të gjithë shqiptarët – përpos qeveritarëve shqiptarë – jemi kriminelë potencialë dhe varet vetëm nga momenti kur do jemi të përshtatshëm për ndonjë ‘skemë policore’”, thotë Mehmeti.
LAJM: Gjatë operacionit “Monstra” autoritetet maqedonase arrestuan dhjetëra shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe gra, pleq, bujq e pensionistë…Si i shihni Ju këto arrestime?
Mehmeti: Nuk ka dyshim se është trishtuese me çfarë lehtësie kjo polici hynë në shtëpinë e shqiptarëve dhe arreston shqiptarë. Ke përshtypjen se kjo polici ka vetëm një qellim: ta mbrojë shtetin nga shqiptarët. Duke qenë të këtilla, disa nga strukturat policore, ishin dhe kanë mbetur të pabesueshme për shqiptarët. Siç duket këtë nuk e kanë kuptuar vetëm pushtetarët shqiptarë, mbase për shkak se askush ata nuk i arreston, apo ndoshta pse janë pjesë e tërë saj që u bëhet shqiptarëve të Maqedonisë.
Ndaj kur ke parasysh rastin e Sopotit, kur u burgosën shqiptarë që pas shtatë vitesh të kaluar në burg u liruan për të dëshmuar pafajësinë e tyre, kur rikujton rastin e “Rashtanski Llozja” kur u ekzekutuan nga policia maqedonase një grup imigrantësh pakistanez si “terroristë radikalë islamikë”, kur ke parasysh Brodecin, e shumë raste tjera të ngjashme, s’ke si mos dyshosh se në këtë shtet, kur nuk mundet ta zbulojë, policia edhe e trillon kriminelin edhe atë gjithmonë te “kriminelët kujdestarë” – shqiptarët. Kështu që del puna se të gjithë ne shqiptarët tjerë – përpos qeveritarëve shqiptarë – jemi kriminelë potencialë dhe varet vetëm nga momenti kur do jemi të përshtatshëm për ndonjë “skemë policore”.
LAJM: Ka pasur një deklaratë nga kryeministri Gruevski, sipas të cilit vrasësit e pesë maqedonasve “janë shumë mirë të stërvitur dhe me motive shumë të larta që nuk është parë ndonjëherë”. Por, nga pamjet e transmetuara (pleq dhe plaka), nuk shihen persona të tillë, pra vrasës të stërvitur. Si e komentoni këtë?
Mehmeti: Kësaj radhe policia preku aty ku e dinë se ne shqiptarët jemi më të ndjeshëm – na i mori nga shtëpitë nënat, motrat e gratë! Edhe atë jo policet femra, por policë të maskuar që edhe nëse të lëndojnë, edhe nëse të poshtërojnë, të mos kesh asnjë argument të tregosh cili ka qenë. Kjo nuk na ka ndodhur kurrë! Kjo na ndodhë sot kur votojmë “ lirshëm mbrojtësit” tanë që ulen nëpër kabinete ministrore nga na japin shpjegime, na mësojnë se duhet ulur kokën. E koka nuk ulet më poshtë se kur e prek tokën!
Nuk jam nga ata që merren me paragjykime, por në këtë teatër absurd të quajtur Maqedoni, del se policia maqedonase është mbrojtja më e suksesshme e NATO-s dhe perëndimit. Edhe atë tani kur do mbahet Samiti i NATO-së në Çikago. Dhe del që qindra metra larg qendrës së Shkupit, paska vepruar “grup ndërkombëtar terroristë islamik”. Shtrohet pyetja e logjikshme: pse policia maqedonase nuk i ka arrestuar më parë por i ka lënë lirshëm të ekzekutojnë të pafajshëm!?
Pastaj si doli puna që nënat, motrat e gratë tona të qenkan të stërvitura për akte terroriste. A do të thotë kjo se ne që në gjenezë – që në familje – marrim edukatë terroriste? Mos vallë këtë porosi deshi dikush t’ia përcjell botës!?
LAJM: Sa e tensionuar është situata pas arrestimeve në fjalë, dhe sa mund t’i kontribuojnë këto arrestime destabilizimit të Maqedonisë?
Mehmeti: Maqedonia është aq jostabile që në themelet e sajë, sa atë asgjë më nuk mund ta destabilizoj më shumë se aq. Posaçërisht kur ata që duhet ta “stabilizojnë” – pra pushtetarët – janë të parët që i tendosin marrëdhëniet ndëretnike, duke të shpallur kriminel ende pa u dëshmuar fajësia. Me çka lënë përshtypjen se sillen sipas parimit: Sa më keq e kanë shqiptarët, aq më mirë për ne, aq më gjatë do mbetemi në qeveri!
E dëgjuat konferencën për shtyp të ministres: aty nuk flitej për të dyshuar, por për vrasës! I lexoni mediat maqedonase? Ato nuk raportojnë, por ngrenë akuza, janë bërë gjykata!
LAJM: A po bëhen këto arrestime sa për të dhënë spektakël medial, në mënyrë që t’i frikësojnë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni? Sipas jush, a janë shqiptarët të frikësuar momentalisht?
Mehmeti: Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjen ata që përfaqësojnë këtë popull, e që tani – si gjithmonë në raste të ngjashme – janë futur në birën e miut, nga do nxjerrin kokën kur pjesën e punës së tyre ta kryejnë përfaqësuesit e këtushëm diplomatik të perëndimit. Andaj shqiptarëve të këtushëm duhet thënë hapur: mbrojtje të vetmen që sot kanë ata, janë diplomatët e huaj perëndimorë në këtë shtet, veçanërisht ata të SHBA-ve. Dhe, shyqyr Zotit, që i kemi këtu për çka duhet të jemi përjetë mirënjohës. Mos të gënjehet ndonjëri nga ne se ka shqiptarë i cili guxon ta pyes diçka Gruevskin dhe kushëririn e tij, që drejtojnë policinë se çka janë duke bërë kështu. Të kishte aso shqiptarësh në qeveri, s’do kishte polici mamaje që do mund të hapte derën e shtëpive tona me shkelm, pa vendim gjyqësor, pa të lënë procesverbal se çka kanë marrë e çka kanë lënë në atë shtëpi.
Kështu siç sillet policia, çdo shtëpi tonën mund ta shpall “çerdhe terroriste islamike”, e të sjell aty dëshmitë që i mungojnë për të na shpallur të tillë.
Andaj, ka ardhur koha që shqiptarët duhet t’ia shtrojnë edhe një pyetje vetvetes: Mos vallë sa i përket të sotmes së shoqërisë shqiptare, shumëçka ende është në duart e qarqeve policore që më pare të arrestojnë, e pastaj ta caktojnë fajësinë sipas nevojës. Duhet të jemi aq burra e të pranojmë: Shumëçka mes nesh ka mbetur si dikur! Që do të thotë, ky shtet më shumë u beson shqiptarëve që i kanë në duar qarqet policore – të komprometuarve. Këtë duhet thënë hapur dhe nëse jemi popull siç pohojmë se jemi, duhet të merremi me këto dukuri e të shohim si jemi organizuar, kush vendos për fatin tone.
Ne thuajse u pajtuam me fatin që të jetojmë nga një aksion policor në tjetrin, nga një protestë në tjetrën, e pushtetarët tanë gjithmonë të jetojnë në ditë festive. Mbase kjo na bënë më të vëmendshëm dhe më të qëndrueshëm, por na mëson të mbetemi frikacakë, njerëz që i nënshtrohen vullnetit politik pushtetmbajtës, e jo vullnetit njerëzorë dhe fisnik që nuk të lejon të shohësh i qetë vuajtjet e tjetrit.
Shqiptarët e Maqedonisë s’kanë pse ndjehen inferior shkaku i cilësdo tipari të tyre, përfshi edhe atë religjioze. Ata s’kanë pse të frikohen, por duhet të pyesin veten se sa janë të mbrojtur nga dhuna institucionale dhe kush duhet t’i shpëtojë nga roli i “fajtorit kujdestarë”. Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë e kurrë nuk do jenë anti-perëndimor, ata ngërthejnë në vetvete ylberin shumë religjioz, e s’kanë pse të vuajnë nga fajësia kolektive për cilindo lloj radikalizëm. Pastaj, jo sot, por qysh në kohët e Millosheviqit, është bërë çmos që shqiptarët e këtyre anëve të barazohen me “radikalizmin islam”. Andaj, nëse i shikoni vëmendshëm incizimet e policisë gjatë arrestimeve, do vëreni me çfarë pompe paraqiten fotot e luftëtarëve të UÇK-së, ku s’ka asnjë simbol religjioz, por vetëm kombëtar. Pra, shihet qyrtë, dikush në Maqedoni e vazhdon pjesën e “papërfunduar” të luftës, kundër ish ushtarëve të UÇK-së. Këtë, siç duket, nuk e shohin ata që duhet ta mbrojnë “fëmijën” e vet, përpos nëse nuk e konsiderojnë se fëmijë që ka qenë vetëm një abort i ngutshëm.